Fermerët kërkuan 7.8 mln euro kompensim përmes autofaturës deri në 4 gusht
3,202 aplikime nga fermerët janë regjistruar për kompensim përmes skemës së autofaturës në periudhën 1 korrik–4 gusht 2026, ndërsa shuma totale e kompensimit arrin në 7.8 milionë euro.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë një përqendrim shumë të lartë të aplikimeve në Fier dhe Berat, që së bashku përbëjnë rreth 77% të totalit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet, Drejtoria Rajonale e Fierit mban peshën kryesore, me 1,631 aplikime, ose rreth 50.9% të të gjitha kërkesave të regjistruara në vend. Pas saj renditet Berati me 830 aplikime, që përfaqësojnë rreth 25.9% të totalit.
Vetëm këto dy drejtori kanë regjistruar 2,461 nga 3,202 aplikimet e fermerëve. Diferenca me qarqet e tjera është e ndjeshme. Elbasani renditet i treti me 267 aplikime, i ndjekur nga Shkodra me 218 dhe Korça me 158.
Në pjesën tjetër të vendit numri i aplikimeve bie ndjeshëm. Dibra ka regjistruar 23 aplikime, Durrësi 21, Gjirokastra 19, Saranda 15 dhe Lezha 14. Në fund të renditjes janë Vlora dhe Tirana, me vetëm 3 aplikime secila deri më 4 gusht.
Për 3,202 aplikimet, Tatimet raportojnë një shumë totale kompensimi prej 7.8 milionë eurosh. E llogaritur mbi numrin e përgjithshëm të aplikimeve, kjo korrespondon me rreth 2,436 euro për aplikim mesatarisht, megjithëse të dhënat e publikuara nuk japin shpërndarjen e shumës së kompensimit sipas qarqeve apo fermerëve individualë.